Lajme

“Më kapi për fyti dhe tentoi të më ngufas”, 78-vjeçarja në Prishtinë denoncon në Polici nipin e saj

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve, raporton Gazeta Sinjali.

Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë personat e moshuar të cilët përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në rrugën ‘Caraleva’ në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua të moshuar.

Sinjali mëson se 78-vjeçarja ka denoncuar në Polici nipin e saj, për të cilin ka deklaruar se e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me grushte dhe duke e tentuar që ta ngufas duke e kapur për fyti.

Si pasojë e dhunës që përjetoi, e moshuara ka marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që i dyshuari, i cili ka nënshtetësinë gjermane, është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.