“Më duket ende si një ëndërr”- Vajza e Afrim Bunjakut rrëfen orët e fundit me babain që iu vra nga serbët: Gjithmonë i kam thënë ishalla unë vdes para teje
Edhe pse për familjen e dëshmorit më të ri të Kosovës, rreshterit të policisë Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën mëngjesin pa u zgjuar 24 shtatori në përplasjen me armë me një grup të dyshuar terroristësh serbë, jeta pa të nuk do të jetë më e njëjtë në vazhdim.
Ashtu si edhe për Arbenitën, vajzën e tij të vetme dhe dy djemtë, të cilët ndërsa prisnin që babai i tyre të kthehej nga shërbimi në postën e Zveçanit, u zgjuan të tronditur nga lajmi i hidhur i humbjes së jetës të njeriut të tyre të dashur.
Arbenita, në sytë e së cilës nuk janë tharë ende lotët e dhimbjes së humbjes së babait, thotë për emisionin ‘Në Shënjestër’ se lajmin për humbjen e njeriut të cilin e cilësonte si krenarinë e saj, e mësoi nga tezja e saj. Dhe ende edhe sot, nuk mundet të pajtohet dot me faktin, që ai nuk ndodhet më pranë tyre.
“Unë faktikisht kam qenë duke punuar siç do ditë. Babai im i ndjerë ka shkuar në orën 5.00 pasdite në punë dhe deri në orën 5 të mëngjesit.
Në momentin e parë tezja veç më tha babai është sëmurë, e kanë plagosur. I thashë nuk është e vërtetë. I thashë babai im është mirë. Dhe tezja ime po qante.
Dhe unë e kuptova që diçka nuk shkonte dhe për momentin kam bërtit. Kam menduar se jam në ëndërr. Fatkeqësisht babai yt ka ndërruar jetë”, rrëfen ajo.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kishte një karrierë të gjatë prej më shumë se dy dekadash në shërbim të rendit dhe sigurisë…
Në shtetin e cilësuar me moshën më të re në Evropë, por që nga pavarësia në vitin 2008 është përballur shpesh me kërcënime që vijnë kohë pas kohe nga Serbia.
Kërcënime që vazhdon të praktikojë politika hegjemoniste ndaj Kosovës dhe krijuar trazira nëpërmjet edhe grupeve ekstremiste që mbajnë të trazuar veriun e vendit.
Afrim Bunjaku ishte transferuar në postën policore të Zveçanit, një komunë me shumicë serbe në veri të vendit. Pikërisht pas tërheqjes masive që policët me kombësi serbe, kishin kryer nga aty disa muaj më parë, të urdhëruar nga Beogradi zyrtar.
Ashtu si edhe atë pasdreke të datës 23 shtator, kur ai u nis në krye të detyrës, pa e ditur se ky do të ishte udhëtimi i tij i fundit, në rrobën e zyrtarit të policisë së Republikës së Kosovës.
“Babai im ka punuar 22 vite në polici në Republikën e Kosovës. Ka qenë i përkushtuar. Nuk ka thënë kurrë po përtoj sot të shkoj në detyrë. Më duket ende si një ëndërr dhe shpeshherë zgjohem nga ëndrra dhe them o Zot se smundem me e pranue këtë gjë, që duhet të bëhem e fortë e babai e dha jetën për liri”, rrëfen e bija.
Në familjen Bunjaku kjo është humbja e dytë më e madhe në këto 10 vite. Më herët kjo familje kishte humbur në një aksident një nga fëmijët e saj. por kurrë nuk do ta besonin se pas përfundimit të luftës, dëshmori i radhës i një agresioni të frymëzuar nga shovinizmi serb, do të ishte kryefamiljari dhe babai i tyre
“Të flasësh për babain tim është shumë pak. Nuk mundesh ta përshkruash me pak fjalë. Unë kam qenë krenare me babain tim. Gjithmonë unë i kam thënë, ishalla unë vdes para teje. Gjithmonë më thoshte, nuk ka më vështirë se me përjetu vdekjen e evlatit. Sepse babai im ka humbur një djalë para 10 vitesh në aksident. Aq shumë e kam dashur babain tim sa vështirë më e besuar një ditë se ai ka me vdekur”, thotë e bija.
Kam shumë krenari por edhe shumë dhimbje që smund ta përshkruaj. Dhe e kam pas shumë të vështirë jetën pa të. Por jam edhe shumë krenare. Unë gjithmonë i kam thënë, dua të ndjek hapin tënd. Të jem një njeri si ti. I drejtë. Me zemër të mirë, të pastër…
Babai im e ka pasur këtë ëndërr që të ndjek rrugën e drejtësië. E kam pasur këshillë nga babai im të bëhem juriste. Dhe ai më ka mësuar….Dhe të vendos drejtësi në vend….
Por siç do qytetar i Kosovës, që do ta shikojë vendin e vet të prosperojë larg luftërave, edhe Arbenita ka një dëshirë, që merr një vlerë kuptimplotë….
Që babai i saj të jetë dëshmori i fundit i Kosovës, dhe asnjë fëmijë të mos vuajë dhimbjen dhe mungesën e prindit, siç ajo dhe familja e saj po e përjeton.
Arbenita Bunjaku:
Për babain tim them se ka qenë një njeri i mirë, i urtë, që e ka dasht rrethi familjar. Ka qenë i respektueshëm.
Më duket ende si një ëndërr dhe shpeshherë zgjohem nga ëndrra dhe them o Zot se smundem me e pranue këtë gjë, që duhet të bëhem e fortë e babai e dha jetën për liri. Dhe shpresoj që babai të jetë I fundit, që ka dhënë jetën për këtë vend dhe shpresoj të ketë paqe.