Me 150 euro, Kiksi hap bunar në Pakistan (VIDEO)
Kiks Kosova i rrekët punës për të kuptuar metodat dhe procesin e hapjes së këtyre puseve apo pompave të ujit, që përveç habisë sonë për numrin e këtyre organizatave, janë bërë edhe trend nga shqiptarët, të cilët i hapin ato kryesisht për hir të familjarëve të vdekur.
Ekipi i emisionit nis kontaktin me këto organizata, me pretendimin e financimit të një bunari për një familje pakistaneze.
Fondacionit i prezantohemi si person privat dhe normalisht fillimisht flasim dhe kërkojmë shpjegim për gjithë procedurat dhe detajet e tjera për bamirësinë që duam ta bëjmë.
Përfaqësuesi i fondacionit Besimi na zotohet se bën inspektimin dhe monitoron në vazhdimësi hapjet e puseve, deri sa rrëfen se dy herë në vit udhëton drejt këtyre vendeve.
Rreth 3000 bunarë të formave të ndryshme thotë se janë hapur në këto vende nga ta, si dhe janë blerë motorë të ndryshëm mekanikë deri te ata me rrymë elektrike.
Çmimi që i kërkon Kiksit është 150 euro, para këto që, sipas tij, janë të mjaftueshme për hapjen e pusit, blerjen dhe instalimin e çezmës mekanike, e cila bëhet me shtytje të levës me duar.
Kur Kiksi kërkon sqarim, pasi çmimi prej 150 eurove dallonte nga ato të fondacioneve të tjera, edhe vetë përfaqësuesi i këtij fondacioni ngre dyshimet se kolegët e tij kërkojnë para për të përfituar personalisht.
Pas disa ditësh na vijnë pamjet e para të hapjes së bunarit në emër të Adem Murselit, emër ky i vendosur nga redaksia e Kiksit, dhe më pas erdhi koha e pagesës.
Mënyra e pagesës u bë përmes transferit bankar, në xhirollogarinë e hapur në emër të një personi që quhet Aftab Ali.
Sipas fondacionit, ky është person i cili është kontraktuar nga organizata për të mbikëqyrur procesin e bamirësisë në këto vende të varfra.
Dhjetë ditë më vonë bunari i KIKS-it është funksional, në adresën tonë vijnë të gjitha fotot dhe videot e procedurave të hapjes së kësaj bamirësie.