Lajme

Mashtrimet e çiftit Lohaj: Rrëfimi i 25-vjeçarit që dha 4 mijë € për punësim në Afganistan, i premtuan 6500 euro rrogë

Rruga për të dalë në mërgim, jo gjithmonë mund të jetë një hap i lehtë për këdo që ia mësynë. Synimi për të pasur një jetë më të mirë jashtë Kosovës, dikujt i kushtoi mijëra euro. Anipse ato para i dha në “besë”, besë nuk gjeti. Kështu i ndodhi një 25-vjeçari nga Ferizaj, i cili ra pre e mashtrimit nga çifti Nazim dhe Kefsere Lohaj, që u arrestuan dje për mashtrim, shkruan Gazeta Sinjali.

Në kushte anonimiteti, i riu që ishte interesuar për të shkuar në Afganistan, rrëfeu ekskluzivisht për Sinjalin përvojën e tij me çiftin Lohaj, duke thënë se ëndrra iu shua shumë shpejt në vitin 2022.

Ai tregoi se si ia kishte dhënë 4000 euro Nazim Lohajt për t’u punësuar në Afganistan dhe i kishte premtuar një rrogë prej 6800 dollarë.

“Nazimi tha se duhet me ta ndreq njëherë kontratën edhe me t’i bo analizat që nuk je përdorues i drogës. Tha kur të vjen kontrata m’i dërgon edhe 2 mijë euro. Tha është rroga 6500-6800 dollarë. Unë i thash a bën njëherë më t’i dërgu 2000 e tani më vonë edhe 2000 tjera, ai tha jo veç 4000 ndryshe jo, edhe ja kemi dërgu direkt në Dubai përmes Western Union se ai atje ka qëndru”, tha i riu.

Ai shtoi se pagesat i kryente tek një person i tretë, të cilin e quan Korab Hoxha, e që ishte urëlidhëse e Nazim Lohajt.

25-vjeçari, shprehet se i ishte premtuar se i kthehen paratë në rast se nuk finalizohet marrëveshja për të cilën kishin biseduar.

“Thanë paret kthehen automatikisht në momentin që bëhet puna mos me shku. Paret nuk kthehen nëse dalin analizat në Dubai që t’i përdor drogë. I bëra analizat edhe paret gati e pasaportën. Një grup që kanë pas me u nis më datë datën 27 ju ka anulu. Kur po e thirri Nazimin thash çka u bo nuk u nis qaj grup, tha ja veç sabër se nisen edhe ata. Edhe pas një jave a dy i thash du me u tërhjek se pe shoh që nuk ka kurgjo. Jo më tha mos u ngut, I thashë paret me mi kthy. Tha ani t’i kthej. Prita me muaj edhe nuk mi ka kthy paret”, u shpreh viktima.

“Edhe dikur kam shku te shtëpia e gruas të tij dhe e kam pyt për me ja kërku 4000 euro që mi kanë borxh. E kam pyet a e ka burrin aty, ajo tha që jo se edhe gruaja e tij ka qenë e përfshirë. I kam thënë kam me të raportu në Polici, ai më tha mos të lutna. Kur disa shokë më treguan që dikujt ja ka borgj 7000 euro, dikujt 8000 e dikujt 5000 edhe s’jau ka kthy kurrë e as nuk është përgjigj në telefonata”, tha 25-vjeçari.

Makthi për të riun vazhdoi dhe për një kohë derisa u ndje edhe i shantazhuar nga çifti. 25-vjeçari u shpreh se rastin e ka raportuar në Polici për çka, pas arrestimit të çiftit ka dhënë dëshmi.

Ndryshe, çifti Lohaj nga Ferizaj u arrestuan të hënën nga Policia e Kosovës nën dyshimin për mashtrim pasi premtonin punë në Irak, Poloni e Afganistan e që ky premtim nuk u realizua.

Sipas Policisë, çifti gjatë viteve 2021-2022 dyshohet se kanë mashtruar persona të ndryshëm në regjionin e Ferizajt duke u kërkuar para me qëllim të punësimit të tyre jashtë Kosovës, ku kanë kërkuar nga viktimat para në vlerë prej 2,500 deri në 3,000 euro me qëllim të sigurimit të kontratës së punës në një kompani.

Policia gjithashtu ka bërë të ditur se të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe i dyshuari Nazim Lohaj me aktvendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa e dyshuara Kefsere Lohaj është liruar në procedurë të rregullt.