“Ma mirë hup e mos t’shoh”, burri e shqetëson gruan në Obiliq edhe pse ka urdhër mbrojtës
Urdhrat që lëshojnë Gjykatat ndaj personave të cilët kanë kryer dhunë në familje jo gjithmonë respektohen dhe për pasojë vepra përsëritet e madje përfundon edhe tragjikisht, siç ndodhi me rastin e gruas shtatzënë që u vra nga ish-bashkëshorti i saj.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije detaje për një rast që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, në Obiliq, ku një grua ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi dyshohet se bashkëshorti i saj e ka shqetësuar posa ka dalë nga paraburgimi.
Viktima e cila ka urdhër mbrojtës, e frikësuar e ka denoncuar të dyshuarin i cili edhe gjatë kohës sa ishte në paraburgim e kishte kërcënuar me mesazhe, duke i thënë “Ma mirë hup e mos t’shoh”.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia është aktivizuar dhe ka arrestuar burrin e dyshuar, i cili para hetuesve policorë e ka pranuar se i ka dërguar mesazhe bashkëshortes, por nuk i ka shkuar kurrë mbrapa e as te shtëpia e saj.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet ndaj tij, për veprën penale “Dhunë në familje”, raporton Sinjali.
Ndryshe, masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje si dhe vartësit të tij/saj dhe personave tjerë nëse është e nevojshme, mund t’i shqiptohet personit i cili ka kryer dhunë në familje, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.