Lëndohet rëndë një person në vendin e punës, dërgohet me urgjencë në spital
Edhe pse punëtorët shpesh herë marrin lëndime trupore gjatë kohës që janë duke punuar, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës. Si pasojë e kësaj janë të shpeshta rastet kur punëtorët kërkojnë ndihmë mjekësore në spital për shkak të lëndimeve të marra.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se një 31-vjeçar është dërguar atje në gjendje të rëndë për shkak të lëndimeve që kishte marrë derisa po punonte punë ndërtimore në fshatin Trakaniq në Gjakovë.
Sinjali mëson se viktima ka rënë nga një lartësi me ç’rast ka pësuar frakturë në këmbë. Pas intervenimit të ekipit mjekësor, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe i njëjti ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë arrestuar pronarin e kompanisë së ndërtimit ku punon viktima.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës’.