Lajm i keq për ata që kanë kredi në bankat e Kosovës
Pas ngritjes së çmimeve, edhe bankat i kanë rritur normat mesatare të interesit, nga 6.3% sa ishte në dhjetor në 6.5 % në shkurt të këtij viti.
Pavarësisht kësaj, nga Banka Qendrore e Kosovës kanë njoftuar se është rritur numri i kredimarrësve krahasuar me dy muajt e parë të vitit të kaluar.
Për këtë, janë ankuar qytetarët, të cilët thonë se mezi po ia dalin t`i paguajnë detyrimet që kanë.
Pagat e ulëta e ngritja e çmimeve, i ka detyruar qytetarë të shumtë që tu drejtohen bankave për të marrë kredi.
Por, bashkë me çmimet gjatë këtij viti janë ngritur edhe detyrimet e tyre ndaj bankave. Kjo, pasi këto të fundit kanë rritur normën mesatare të interesit nga 6.3% sa ishte në dhjetor të vitit të kaluar, në 6.5% në shkurt të 2023-s.
Pavarësisht rritjes së interesit të kredive, nga Banka Qendrore e Kosovës kanë thënë për RTK-në se është rritur edhe numri i kredimarrësve krahasuar me dymujorin e parë të vitit të kaluar, nga 28 mijë e 682 sa ishte në 32 mijë e 969.
Ndërsa, qytetarët thonë se ende nuk kanë arritur t’i paguajnë kreditë që i kanë marrë gjatë viteve të kaluara dhe se me pagat e ulëta, mezi po ia dalin t’i paguajnë detyrimet që kanë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka theksuar se rritja e normave të interesit për kredi do të ndikojë edhe në punën e bizneseve.
Nga Shoqata e Bankave të Kosovës kanë thënë se vlera e kredive në raport me vitin 2021 është rritur për 16%.