Lajme

Ky është shoferi që pengoi dhe ofendoi policët në Mitrovicë, përfundon në ndalim policor

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe të hënën në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ku Policia është penguar në kryerjen e detyrave nga shoferi i një veture, i cili shpërfilli urdhrat e zyrtarëve policorë, e madje edhe i ofendoi ata.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shoferi i dyshuar i cili përfundoi në prangat e Policisë dhe tashmë ndodhet në ndalim policor është Burim Xhafa.

Xhafa po dyshohet se fillimisht ka refuzuar që t’i nënshtrohet kontrollit dhe verifikimit, e më pas është kapur me policët, të cilët i ka ofenduar, e më pas edhe ka rezistuar, çka i shtyri ata që ta arrestojnë të dyshuarin.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tij Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë për veprën penale “Pengim i personit zyrtar”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.