Ky është shoferi që goditi 6-vjeçarin me furgon në Fushë Kosovë, ndalohet për 48 orë
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së premtes në lagjen 28 në Fushë Kosovë, ku një person është goditur nga një automjet. Këmbësori është përplasur nga i dyshuari që po lëvizte me furgon dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Viktima në këtë rast është një fëmijë rreth 6-vjeçar, i cili është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe sipas informacioneve të para është në gjendje kritike.
Sinjali ka mësuar se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është Bajram Aliu, rreth 46-vjeçar.
Lajmi për arrestimin e tij është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë, me ç’rast është bërë e ditur se ndaj të dyshuarit është lëshuar urdhri për ndalim policor.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me automjetin e tij ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, ku si pasojë e aksidentit viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.