Ky është pronari i lokalit që u intervistua si i dyshuar për helmimin e 39 personave në Malishevë
Komuna e Malishevës përmes një komunikate për media ka njoftuar se mbi 30 persona janë helmuar nga ushqimi. Në komunikatë bëhet e ditur se nga personat janë udhëzuar për QKUK në Prishtinë dhe disa për në spitalin e Prizrenit. Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar për Sinjalin se lokali është mbyllur përkohësisht ndërsa në cilësinë e të dyshuarit tashmë është intervistuar pronari i lokalit.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se pronari i lokalit “Apetiti” është Kujtim Shala.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe inspektorët komunal si dhe ata të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. Lokali përkohësisht është mbyllur nga këta të fundit. Në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar pronari i lokalit dhe lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Prodhimi dhe vënja në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”- ka thënë ai.
Ndryshe, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi në Malishevë, Hajdin Berisha ka njoftuar se gjendja e pacientëve të helmuar është stabile.
Sipas tij situata është në kontroll dhe e menaxhueshme.
“Gjendja e pacientëve të helmuar, aktualisht është stabile dhe situata është në kontroll dhe e menaxhueshme. Pas orës 21, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Hajdin Berisha, i shoqëruar nga drejtori i QKMF-së, Afrim Krasniqi dhe asamblistët Valon Mazreku dhe Halil Morina, i kanë vizituar pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai u shpreh se aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtrirë 12 pacientë, ndërsa numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Malishevë është 39.
“Sipas drejtorit Berisha, bazuar edhe nga të dhënat e klinikës, gjendja e pacientëve është stabile dhe janë duke u trajtuar nga personeli i klinikës.Aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtrirë 12 pacient, ndërsa numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Malishevë është 39”.
“Të gjitha ekipet relevante janë të mobilizuar për menaxhimin e situatës dhe personeli shëndetësor në QKMF është në gatishmëri të plotë për të ofruar shërbimet e nevojshme”, ka shkruar tutje ai.