Ky është polici që u suspendua në Pejë, dyshohet se ndihmoi familjarin e tij të përfitojë para përmes shantazhit
Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për suspendimin e një zyrtari policor në Pejë, i cili dyshohet se ka ndihmuar familjarin e tij që përmes shantazhit të përfitojë mjete financiare në vlerë të mbi 4 mijë eurove. Ndaj kanë nisur hetimet nën dyshimet për ndihmë për të kryer një vepër penale.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta se polici i suspenduar është Xhevdet Isufi.
Isufi dyshohet se ka ndihmuar mikun e tij, B.D., 37-vjeçar, që për vite me radhë të përfitojë para me anë të shantazheve dhe kërcënimeve ndaj viktimës, me të cilën i dyshuari ishte në lidhje dashurie.
B.D., dyshohet se në këmbim të mospublikimit të fotografive dhe videove intime, detyronte gruan e cila jeton jashtë Kosovës t’i dërgojë para e t’ia paguajë të gjitha qejfet e tij. E gjithë këtë ai dyshohet se e kreu me ndihmën e dhëndrit të tij, Xhevdetit, i cili është pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe shërben në pikën kufitare në Kullë.
Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë gjatë ditës së djeshme kanë kryer bastisje në shtëpinë e 37-vjeçarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale një shtëpizë të kompjuterit dhe dy telefona celularë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Shantazh’. Me urdhër të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij pritet të dorëzohet kallëzim penal.
Sinjali pas pak do të publikojë të gjitha detajet lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.