Lajme

Ky është polici i suspenduar në Gjakovë, përfundoi në ndalim, mori e ryshfet

Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për suspendimin e një togeri dhe një zyrtari policor në stacionin policor në Gjakovë. Njëri nga ta, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Sinjali mësoi ekskluzivisht se bëhet fjalë për togerin, Flamur Frrokaj dhe policin, Fidan Mati.

Mati dyshohet se është i përfshirë në kryerjen e veprave penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’ dhe ‘Marrje ryshfeti’.

Ndaj Matit, pas konsultimit të hetuesve të IPK-së me Prokurorin e Shtetit është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Ndërsa, Frrokaj nuk e ka sefte që është subjekt i hetimit nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Togeri policor që njihet si ‘problematik’, edhe më parë është suspenduar, por është kthyer në detyrë.

Në nëntor të vitit 2019, Frrokaj ishte suspenduar pas arratisjes së një personi nga Stacioni i Policisë në Gjakovë. Kjo pasi ai dyshohej të ketë qenë personi përgjegjës për mbajtjen në kontroll të të arrestuarit.

Sinjali ka informacione se po hetohen edhe dy zyrtarë tjerë policorë, mirëpo një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar.

Sinjali ka dërguar pyetje në Inspektoratin Policor të Kosovës, për të njëjtit ende s’kanë kthyer përgjigje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.