Ky është personi që dyshohet se e sulmoi seksualisht të miturën në një villë në Prishtinë
Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë të miturat, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të moshës madhore. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në fshatin Koliq të Prishtinës, Prokuroria ka nisur hetimet.
I dyshuari për rastin është një 22-vjeçar, i cili ende nuk është kapur – ndërkaq viktima është një vajzë e mitur, që dyshohet se është sulmuar seksualisht.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që po kërkohet për këtë rast është Avdullah Ramadani.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur në një villë në fshatin Koliq, ku i dyshuari e kishte dërguar viktimën – me të cilën kanë qëndruar gjatë gjithë natës.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës, derisa ka qenë me të dyshuarin, ai e ka sulmuar seksualisht.
Pas denoncimit të rastit, Hetimet Rajonale në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, por akoma nuk është siguruar prezenca e të dyshuarit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e hetimit për veprën penale ‘Sulm seksual’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.