Lajme

Ky është personi i dyshuar, për dhunimin e 13 vjeçares në Ferizaj, përfundon në ndalim policor

Foto:Ilustrim

Të shtunën u raportuar për një rast të dhunimit që dyshohet të ketë ndodhur në njërin nga motelet në Ferizaj, ku një vajzë e mitur dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një person të moshës madhore. I dyshuari, 21-vjeçar, ka krijuar raport intim me vajzën 13-vjeçare, rast ky që u zbulua nga një familjar i viktimës.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që është arrestuar lidhur me këtë rast është Erlind Mjaku, i cili po dyshohet se e ka keqpërdorur seksualisht të miturën, me të cilën kanë shkuar në një motel në fshatin Muhoc, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale.

Të gjithë ngjarjen e trishtë e ka diktuar fillimisht daja i viktimës, i cili kishte marrë vesh se e mitura ka krijuar kontakte me një person dhe i njëjti ka denoncuar rastin në Polici.

Palët janë shoqëruar në stacion policor ku kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe gjatë intervistimit, 21-vjeçari ka mohuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.

Brenda afatit ligjor, pritet që të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë dhe ndërmarrja e veprimeve hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Kujtojmë se rastet e tilla kanë marrë përmasa shqetësuese dhe në shumicën prej tyre viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, të cilët përkundër që dinë moshën e tyre të re dhe të ndjeshme, krijojnë raporte intime me to.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.