Ky është personi i arrestuar për mashtrim, kishte shitur Ferrarin e huaj
Hetuesit rajonal të Prishtinës dje kanë arrestuar Arbër Mustafën, 29-vjeç, për një rast të mashtrimit të ndodhur gjatë muajit nëntor të vitit 2021.
Menjëherë pas raportimit nga hetuesit është bërë identifikimi i personit të dyshuar i cili deri dje ka qenë në kërkim policor.
Burimet e IndeksOnline brenda policisë kanë konfirmuar se Arber Mustafa, shtetas i Republikës së Kosovës, është arrestuar në pikën kufitare në Morinë dhe i njëjti pas intervistimit, me vendim të prokurorit , është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Mbështetur në rezultatet e para të hetimit, Policia ka ngritur dyshimin e bazuar se i dyshuari Arber Mustafa në bashkëpunim me një person tjetër të quajtur Viktor Mulaj, duke keqpërdorur besimin, kishte shitur veturën e ankuesit (veturë e tipit Ferrari, vlera 250 000 euro), të cilën e kishte marrë nga ankuesi për ta dërguar për servisim jashtë vendit.
Derisa Mustafa ndodhet tashmë prapa grilave, i dyshuari tjetër Viktor Mulaj ende nuk është arrestuar.
Policia po kryen veprimet e nevojshme procedurale, në koordinim me prokurorinë.