Lajme

Ky është motivi i vrasjes brenda familjes në Malishevë, i dyshuari në pranga

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në oborrin e familjes Berisha në fshatin Kijevë të Malishevës, ku një person dyshohet se ka privuar nga jeta xhaxhain e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se motivi që shtyu drejt tragjedisë brenda familjes, dyshohet të lidhet me një konflikt pronësor.

I dyshuari që një kohë jetonte dhe vepronte në shtetin e Anglisë, teksa ishte kthyer në vendlindje disa ditë me parë.

Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari dhe viktima kishin shtëpitë në të njëjtin oborr.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë me dije për Sinjalin se vdekjen e të ndjerit e ka konfirmuar ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ndodhen edhe njësitë tjera relevante.

Ai njoftoi se i dyshuari tashmë është arrestuar.

“Sot rreth orës 09:50 është raportuar për një rast vrasje në fshatin Kijevë-Malishevë. Në vendin e ngjarjes, menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore ku është gjetur një person mashkull (i moshës madhore dyshohej pa shenja jete). Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, mashkull i moshës madhore. Rrjedha e mëtejme hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e shtetit në drejtim të veprës penale të vrasjes”, tha Elezaj.