Ky është kosovari që u arrestua në Morinë, ishte në kërkim ndërkombëtar
Policia e shtetit të Shqipërisë ka njoftuar arrestimin e tre kosovarëve në 24 orëshin e fundit. Në pikën kufitare të Morinës u ndalua shtetasi kosovar i shpallur në kërkim ndërkombëtar Jeton Dervishaj, 38 vjeç.
Gjykata në Hungari e ka dënuar atë, me 2 vjet burgim, për kalim të kundërligjshëm emigrantësh, ndërsa Gjykata e Lartë në Serbi ka lëshuar ndaj tij, urdhër arresti, për të njëjtën veprimtari kriminale. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, vijon procedurat për ekstradimin e 38-vjeçarit.
Ndërsa në dalje u arrestuan në flagrancë shtetasit kosovarë A. M., 26 vjeç dhe L. C., 23 vjeç, pasi kanë paraqitur 2 pasaporta që dyshohet se janë të falsifikuara. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan këto 2 dokumente.
Ndërkaq në hyrje është ndaluar shtetasi i shpallur në kërkim Hasan Gatali (Qazimi), 40 vjeç, sepse Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 9 muaj burgim, për veprën penale “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”.
“PKK Port Durrës/U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar Rr. I., 54 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin që drejtonte, u gjetën dhe u sekuestruan më cilësinë e provës materiale, rreth 17 000 euro që ky shtetas synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.