Ky është i riu nga familja Grainca i arrestuar për keqpërdorimin e kartelave bankare, kreu blerje mbi 17 mijë euro
Keqpërdorimi i kartelave bankare është një fenomen në rritje në Kosovë, që po shkakton humbje të mëdha por edhe pasiguri si për bankat, ashtu edhe për klientët e tyre. Kështu, të dyshuarit, të cilët veprojnë herë vetëm e herë në grupe arrijnë të përfitojnë kundërligjshëm, duke përdorur kartelat bankare pa autorizim, apo edhe kartela të falsifikuara, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e një 24-vjeçari, i cili po dyshohet se ka kryer blerje të ndryshme që kapin vlerën e hiç më pak se 17 mijë eurove.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije ekskluzivisht se i dyshuari është Lorent Grainca nga Ferizaj dhe po dyshohet se ka keqpërdoru kartela të ndryshme bankare, përmes të cilave ka bërë blerje të gjësendeve të llojllojshme.
Gjithçka dyshohet se u zbulua pas njëra nga bankat në vend denoncoi dyshimet e ngritura për përfitime të jashtëligjshme. Raportimi i rastit dhe hetimet e kryera rezultuan me identifikimin e të dyshuarit dhe arrestimin e tij.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është deklaruar para hetuesve policorë për veprën me të cilët ngarkohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim policor dhe sekuestrimin e telefonave, që do të të shfrytëzohen si prova materiale gjatë procesit hetimor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.