Lajme

Ky është hajni i marketeve që u kap sërish nga Policia, herën e fundit vodhi dhjetëra pashteta

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Marketet shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje. Një ndër hajnat që ka bërë kërdi në plot markete në vazhdimësi ka rënë sërish në prangat e Policisë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Atdhe Bahtirin, i cili dyshohet se vjedhjen e fundit e ka kryer në fillim të këtij muaji, në një market në Prishtinë, ku kishte avulluar dhjetëra pashteta dhe gjësende tjera.

Bahtiri është emër i njohur për organet e rendit, pasi i njëjti dyshohet për së paku 10 raste të vjedhjeve, që ka kryer kryesisht në pikat e Viva Fresh nëpër Prishtinë

Pas arrestimit për rastin e fundit, i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë për veprën me të cilat ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.