Ky është dilleri që ia shiti heroinën 17-vjeçarit në Gjakovë, aksion për kapjen dhe bastisjen e shtëpisë së tij
Sot u raportua për arrestimin e një 17-vjeçari në Gjakovë, i cili është kapur në flagrancë nga Policia me substanca narkotike të llojit heroinë. Posedimi i drogës i kushtoi të miturit me arrestim, teksa pas një periudhe të shkurtër Policia e zbuloi dillerin që ia shiti heroinën.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se pasi Prokurori ka nxjerrë aktvendimin për ndalimin e 17-vjeçarit të dyshuar, kanë nisur hetimet për të identifikuar personin prej të cilit i mituri e bleu drogën.
Posa i dyshuari është zbuluar, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e tij, nën dyshimet për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Shain Shkodrën, 29-vjeçar, i cili përveç drogës, po dyshohet se kundërligjshëm ka mbajtur edhe armë.
Gjatë kontrollit të Policisë në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur prova materiale që do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë. Sipas burimeve të Sinjalit, te i dyshuari janë sekuestruar një qese me substancë narkotikë, të llojit marihuanë, si dhe dy armë.
Ky aksion rezultoi edhe me arrestimin e të dyshuarit, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit për veprat për të cilat dyshohet. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.
Ndryshe, i njëjti po dyshohet se ia ka shitur heroinën një 17-vjeçari, i cili është kapur të martën në rrugën “Ali Ibra”, ku është arrestuar dhe më pas është ndaluar për 24 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.