Ky është 58-vjeçari i vrarë në Podujevë, nesër i jepet lamtumira e fundit
Incidenti me të shtënat me armë që u dëgjuan mbrëmjen e djeshme në fshatin Dumnicë e Epërme në Podujevë përfundoi tragjikisht. Për motive akoma të panjohura, një 58-vjeçar dyshohet se është vrarë me armë zjarri, në afërsi të shtëpisë së tij. Hetimet lidhur me këtë rast tashmë kanë nisur, ndërkohë që akoma nuk janë identifikuar personi apo personat e dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
I ndjeri Salih Salihu u qëllua me plumb në kokë dhe fatkeqësisht nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve që mori nga arma e zjarrit. Vdekjen e tij e ka konfirmuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, teksa trupi është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.
Salihut i jepet nesër lamtumira e fundit, në varrezat e fshatit, nga ora 15:00, ka njoftuar familja e tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se lidhur me këtë rast, Policia ka kryer edhe ekzaminimet e nevojshme, por akoma s’janë gjetur gjurmë që mund të çojnë në identifikimin e të dyshuarve që kryen këtë vrasje.
Ky është personi që dyshohet se u vra me armë zjarri në Podujevë
Teksa hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes kanë filluar, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar intervistimin e disa dëshmitarëve, si dhe kontrollimin e shtëpisë së viktimës, në kërkim të provave relevante për motivin e këtij rasti tragjik.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia, si dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, që kanë bërë të ditur se po zhvillohen hetime intensive.
“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është kualifikuar “Vrasje”, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë intensive, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij akti dhe identifikimit të personave të përfshirë në këtë rast”, tha Laureta Ulja nga Prokuroria.