Lajme

Ky është 39-vjeçari që u ther me thikë nga 16-vjeçari në Prishtinë pasi dyshohet se e ngacmoi seksualisht

Fakton.info të shtunën për një incident që ka ndodhur në rrugën ‘Isa Kastrati’ në Prishtinë, ku pas një përleshje fizike që ndodhi mes dy personave, ka mbetur i therur me thikë një 39-vjeçar. Ky i fundit po dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht të miturin, i cili më pas e sulmoi, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua për ngacmim seksual është Alban Haklaj, i cili ka përfunduar në ndalim policor, ndërsa i dyshuari që e goditi me thikë është E.Berisha, (16-vjeçar), i cili po ashtu u dërgua në mbajtje.

Dy palët po hetohen me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Haklaj për veprat penale “Ngacmim seksual” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i mituri nga familja Berisha për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Ndryshe, Sinjali raportoi dje se në këtë konflikt janë përfshirë edhe nëna dhe vëllai i të miturit. Pasi i lajmëroi për atë që ka ndodhur, 16-vjeçari u kthye në vendin e njëjtë ku dyshohet se u ngacmua seksualisht dhe më pas u përfshinë në një përleshje me të dyshuarin që u plagos.

39-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim të miturin dhe vëllain e tij që u përfshinë në rrahje.

Po ashtu, në cilësinë e dëshmitares është intervistuar edhe nëna e dy të rinjve.

Subjekt i hetimeve nga ana e organeve të drejtësisë, është edhe vëllai i të miturit, i cili dyshohet se kreu veprën penale ‘Pjesëmarrje në rrahje’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.