Lajme

“Kush është ai me na blloku parkingun”, flet pronari i hotel ‘Kaçinari’, arsyeton djalin e tij që e rrahu 25-vjeçarin

Mosmarrëveshja për parking e futi në sherr djalin e pronarit të hotelit “Kaçinari” në Prizren. Hil Kaçinari, i cili tashmë ndodhet në ndalim policor, po dyshohet për rrahjen e një 25-vjeçari nga Shqipëria, në parkingun e hotelit. Incidenti ndodhi pasditen e së martës dhe fillimisht i dyshuari iku nga vendi i ngjarjes, por pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, Policia arriti ta kap sot, raporton Gazeta Sinjali.

Për arrestimin e Hilit dhe përleshjen në të cilën ai u përfshi, babai i tij, pronari i hotelit, Pren Kaçinari, ka rrëfyer anën e tyre të historisë, duke e konfirmuar se konflikti nisi për parking.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar Kaçinarin për të marrë versionin e tij, me ç’rast i njëjti fajtor e ka lënë viktimën, që sipas tij është ai që iu shkaktoi probleme në parkingun e hotelit, ku e parkoi keq veturën.

Ai madje edhe e akuzoi të riun se ia ka sulmuar djalin, duke pretenduar se Hili është përfshirë në rrahje për t’u vetëmbrojtur.

“Duhet me pyet ata në Shqipni, që ka ardhë në prona të huaja me bo probleme. Ai ka bo problem në parking. Ia ka bo baba atij a, midis rruge me lonë kerrin, me mi blloku mu 30 kerre. Qysh… kush është ai. Qysh nuk e ka blloku, badihava nuk ka bo probleme. Ai e ka sulmuar, tani me kockë ky i ka ra. Në pronë të huaj me bo ashtu edhe me sulmu”, tha Kaçinari.

Tutje, babai i të dyshuarit tha se i biri fillimisht ishte interesuar për të kuptuar se çka kishte ndodhur kur iu bllokua parkingu, e më pas është kapur verbalisht me viktimën.

“E ka blloku midis hyrjes parkingun. Pa konë në hotel, me parku. Djali ka shku me kqyrë kush është ky…ky i ka thonë hajde bre burrë çka ke bo. S’kemi pamje të kamerave. Vlerësoje kush ka qenë fajtor, a ka shku ky në parking të atij, a ai ka ardhë në parking te unë.”, përfundoi ai.

Hil Kaçinari u arrestua sot pasdite dhe lajmi është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Drejtoria Rajonale në Prizren, me ç’rast është bërë e ditur se i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Policia me veprimet operative hetimore ka arrit që të arrestojë të dyshuarin e kërkuar për veprën “Lëndim i rëndë trupor”. I njëjti pas intervistimit në prezencën e avokatit mbrojtës me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Sinjalin.

Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe zbulojnë vendndodhjen edhe të dy të dyshuarve tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar.

Ndryshe, Kaçinari nuk është emër i panjohur për organet e rendit, pasi që ka qenë edhe më para në pranga për vepra të ndryshme penale.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.