Kurti: Unë guxoj t’ju them prokurorëve s’po vij, ta shohim tash a guxojnë të vijnë ata tek unë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në një intervistë për emisionin “Rrjedha” në KTV se nëse Prokuroria Speciale është e interesuar të marrë dëshminë e tij rreth skandalit me rezervat shtetërore, ajo duhet t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së kabinetit të tij, që intervista në fjalë të realizohet në zyrën e kryeministrit në Prishtinë.
Ai e ka quajtur “regjisor” kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, duke vlerësuar se ai dëshiron të prodhojë një “lajm ndërkombëtar” se kryeministri kosovar intervistohet për një rast korrupsioni. “Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, ka nënvizuar tutje shefi i ekzekutivit.
“Pikërisht ky prokurori Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri hyn në prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty s’thuhet që si dëshmitar”.
Ndryshe, shumë zyrtarë qeveritarë dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet e kanë cilësuar të motivuar politikisht ftesën që prokuroria ia ka adresuar kryeministrit të Kosovës, meqë ajo është bërë në prag të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.