“Kurti po e pengon Trustin, i dirigjoi të gjithë deputetët e VV-së”
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku thotë se shumë shpejt projektligji për Trustin do të shkojë në Kuvend, edhe pse nuk kaloi në Komisionin për Punë, Buxhet dhe Transfere.
Në një intervistë për GazetaBlic, Lushtaku thotë se shumë nga deputetët kanë ndryshuar qëndrimin në lidhje me tërheqjen e parave nga Trusti, ku kjo sipas tij është një sinjal pozitiv që të merr votat e mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës.
“Nisma ligjore është shqyrtuar në Komisionin për Punë, Buxhet dhe Transfere dhe nga pjesa deklerative u tha fillimisht se ka kaluar, pastaj u tha se nuk i ka marrë votat e mjaftueshme dhe është ngjyrë e portokallt, jo nga e kuqja por nga jeshilja. Tani, do të shkojë në seancë të Kuvendit dhe deputetët do japin qëndrimin e tyre në këtë drejtim”, tha Lushtaku.
“Në këtë drejtim, ka pas ndryshime te deputetët dhe e kam parë edhe vet te disa deputet që nuk kanë ndërmarrë veprime politike. Disa deputetët janë të vetdijshëm që Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të ndihmuar qytetarët e Kosovës në kohë krize”, tha Lushtaku.
Lushtaku thotë se as PDK-ja nuk e dëshiron tërheqjen e parave nga Trusti, por sipas tij duke marrë parasysh që nuk ka masa të duhura nga Qeveria e Kosovës, atëherë siç thotë ai, tërheqja e parave nga Trusti është e domosodoshme.
“Edhe ne nuk e preferojmë tërheqjen e Trustit sepse është një e mirë për qytetarët, që pas pensionimit të ketë një mirëqenie, por në këtë krizë është e domosdoshme. Unë besoj dhe shpresoj që të ketë ndryshim pozitiv, duke marrë parasysh që herën e kaluar kanë qenë krejtëisht kundër Trustit, tash ka deputet që po abstenojnë dhe kjo është ndryshim pozitiv për këtë çështje”, tha Lushtaku.
Lushtaku ka kritikuar edhe kryeministrin Kurti, ku thotë se është fajtori kryesor që po pengohet Trusti.
“Kryeministri Kurti po e pengon Trustin i cili i ka derigjuar të gjithë deputetët e VV-së, fatkeqësisht deputetët e VV-së janë krijuar si një makinë e votimit. Iniciativa për tërheqjen e Trustit, ka qenë nevojë dhe hapi i fundit që ne kemi menduar që duhet të bëhet derisa Qeveria e Kosovës nuk merr masa të duhura për të lehtësuar jetën e qytetarëve”, tha Lushtaku për GazetaBlic.