Lajme

Kullotja e deleve i fut në sherr dy familje: Këta janë të arrestuarit që e rrahën keq 52-vjeçarin

Kullotja e bagëtive në një arë në periferi të qytetit të Rahovecit i ka futur në sherr dy familje. Konflikti me dy palëve të përfshira në rast eskaloi në dhunë fizike dhe për pasojë disa persona mbetën të lënduar. Rasti tashmë po hetohet nga Policia dhe të dyshuarit janë arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.

Tre anëtarë të familjes Shala përfunduan në spital, si pasojë e lëndimeve trupore që iu shkaktuan nga sulmi i dy të dyshuarve.

Sinjali ka mësuar se motivi i përleshjes dyshohet se lidhet me një debat që palët kanë nisur, pasi të dyshuarit kishin shkuar për t’i kullotur delet në arën e viktimave.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë Kujtim Mustafa dhe Shpejtim Janqishta, të cilët përfunduan në ndalim policor.

Mosmarrëveshja që nisi kur të dyshuarit u kapën në flagrancë siç duket i revoltoi ata që të kapen, duke i sulmuar fizikisht tre viktimat.

Të njëjtat burime thonë se njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore, pasi të dyshuarit ia kanë thyer dhëmbin, njërën dorë dhe i kanë shkaktuar plagë të tjera.

Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Ndaj të dyshuarve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetimi.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.