Lajme

“Ku janë ata hajna, hajdi këtu”, Gani Geci zhvesh këmishën dhe iu kërkon ballafaqim atyre që shkruan grafite fyese për vëllain e tij

Gani Geci ka reaguar ashpër pas grafiteve denigruese që janë shfaqur në Prishtinë kundër vëllait të tij, Fadil Geci, pas dëshmisë që dha për tre ditë rreth para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në lidhje me: Grafite fyese kundër Fadil Gecit në Prishtinë, dëshmoi në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së

Në një deklaratë para gazetarëve, Geci ka shpërthyer edhe kopsat e këmishës e është drejtuar atyre që kanë bërë këto grafite duke thënë “Ku janë, kqyre ku janë, a po e shihni këtë gjyks. Ku janë ata hajna, hajdi këtu. Gani Geci o këtu përditë”.

Rastin e ka raportuar në Policinë e Kosovës.

“Sapo lajmërova rastin në Polici. Ky rast është nxitje e urrejtjes, nxitje për vrasje sipas Kodit Penal. Po besoj që Policia kishin pas nis hetimet ex-ficio, po meqë vëllau jem s’është këtu e lajmërova unë rastin”, ka deklaruar Geci.

Ai tha se vëllai i tij “ka dëshmu të vërtetën para Gjykatës Speciale të Republikës së Kosovës të formuar nga Hashim Thaçi”.

Ai ngriti dyshime edhe për ata që mund t’i kenë shkruar këto grafite.

“Këto grafite denigruese unë mendoj se janë të inicuara nga një organizatë “Liria ka emër”, e në pastë liria emrin “Hashime”, vallahi unë këto Hashimet kom qejf me i punu”, tha Geci.

I pyetur nëse do të shkojë edhe ai të dëshmojë, Geci tha se do të shkojë nëse ftohet dhe se do t’i mbulojë shpenzimet vetë.

“Vallahi a besoni që biletën kom me pagu vetë, e hotelin vetë vec mos t’më thirrshin. Unë pa letër s’muj shkoj”, ka thënë ai.