Lajme

Kryetari i Pensionistëve: Pensionet të jenë nga 200 deri në 370 euro – Qeveria po na fyen, nënçmon e injoron

Nga 200 deri 370 euro duhet të jetë vlera e pensionit, sipas kryetarit të Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi. Ai i tha se në bazë të Ligjit për skemat pensionale çdo vit pensionet duhet të rriten në bazë të rritjes së inflacionit, për çka tha se Qeveria nuk e ka bërë kurrë këtë.

Ai ka thënë se nuk kanë gjetur përkrahje nga ana e Qeverisë për kërkesat e tyre dhe sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurtit ka ardhur në pushtet me vota të pa merituara sepse premtimet e bërë nuk i ka realizuar.

Gashi ka thënë se që nga ardhja e kësaj Qeveri kanë kërkuar që të respektohet Ligji për sa i përket rritjes se pensioneve, por sipas tij, ky ligj nuk është respektuar kurrë dhe është shkelur në mënyrë të vazhdueshme.

Ai tha se Qeveria nuk është duke u marr fare me pensionistet në vend dhe nuk është duke iu përgjigjur fare kërkesave të tyre, duke shtuar se në këtë formë ata po nënçmohen, po fyen e po injorohen.

“Ne nuk kemi kërkuar kurrë rritje të pensioneve sepse ajo është e garantuar me ligj dhe ne kemi kërkuar që qeveria ta respektoj ligjin, por kjo qeveri nuk e ka respektuar kurrë dhe nuk po e respekton as sot dhe në mënyrë më të vrazhdë po e shkele edhe sot dhe po na nënçmon, po na fyen, po na injoron. Sepse nuk merret me ne fare. Sa herë kemi bërë kërkesa edhe përmes email edhe përmes telefonave, na i mbyllin telefonat, nuk na i qelin telefonat e kështu me radhë. Thjeshtë nuk kemi komunikim, na kanë eks-komuniku si kategori dhe në të mbete në ndërgjegjen e tyre kjo sjellje, por nuk ju bënë nderë”.

Gashi tha se shuma prej 100 eurove sa marrin tani pensionistet nuk ju mjaftojnë as ta kalojnë muajin, duke marr parasysh rritjen e madhe të inflacionit.

“Nuk janë të mjaftueshme ne e dimë sa i kemi, pensioni bazë është 100 euro dhe një numër mjaftë i madh i pensionisteve tonë varen prej qatyre 100 eurove. Edhe këta që i kanë nga 190, 260 as këto nuk mjafton, sepse ju jeni dëshmitar të një inflacioni drastik që ka ndodhur në Kosovë. Nëse llogaritet me shifra të inflacionit ajo del diku 60 për qind, unë po ju them që ka 200 për qind inflacion nëse shkojmë nëpër shitore për gjëra elementare për tu furnizuar, shtrenjtimi ka ndodhur 200 për qind. Janë shtrenjtuar edhe barnat, janë shtrenjtua edhe lëndët djegëse për ngrohje, pastaj një kategori shumë e madhe e këtyre njerëzve nuk kanë sistem të ngrohjes. Nuk mundet, nuk ka shanse me mbyll muajin me muaj, në qoftë edhe veç me bukë me 100 euro”, tha ai.

Ai tha se në bazë të ligjit për skemën pensionale qeveria ka për obligim që çdo fund vit të bëjë vlerësimin e rritjes së inflacionit dhe në bazë të saj ti rris pensionet.

Sipas tij, se nga viti tjetër do të duhej që pensionet të jenë nga 350 deri 370, për pensionistet me shkollë të mesme do të duhej të ishin nga 250 ose 270 euro si dhe ai bazë sipas tij, duhet me qenë 200 euro.

“Në bazë të ligjit për skemat pensionale qeveria ka obligim çdo fund viti të bëjë vlerësimin e inflacionit dhe kon formë inflacionit me rrit pensionet për vitin e ardhshëm që po hyjmë. Këta nuk e kanë bërë këtë kurrë, këta e kanë pasur obligim me ligj me bë nuk e kanë bërë dhe këtyre ju teprojnë pare me ka 700 milionë euro për një vit dhe këta nuk i rrisin pensionet. Do të thotë thjeshtë po na e marrin djersen tonë po na marrin kontributet tona. Si ta quajmë këtë, ndaq e quajmë plaçkë ndaq hajni, njëjtë është. Realisht tani pensionet duhen me qenë diku këta që janë me përgatitje të larta, 350 deri 370 euro, kurse me shkollë të mesme ish dashtë me qenë 250 ose 270, kurse ai bazë duhet me qenë 200 euro”, tha ai.

Kryetarit i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, tha se Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me vota jo të merituara pasi ai nuk është duke mbajtur premtimet që ka dhënë para zgjedhjeve.

Gashi pati kritika edhe për opozitën në Kuvend për të cilën tha se është një opozitë e pa aftë që nuk është në gjendje të bëjë asgjë.

“Kjo Qeveri për fat të keq i ka marr shumicën e votave në mënyre jo të merituar duke premtuar, sepse edhe pensionisteve ju ka premtuar edhe tjerave kategori ju ka premtuar me aplikua skema sociale gjatë qeverisjes së tyre. Këta jo që nuk kanë aplikuar por e kanë bërë të kundërtën dhe tash i ka marr votat ai. Opozitën na po e shohim një opozitë e lodhët, një opozitë e pa aftë, një opozitë tepër amorfe që nuk është në gjende të bëjë as gjë dhe këta tash po kënaqen me vetveten aty edhe po ju shkon dita duke shikuar në pasqyre sa të merituar jemi me qeverisë këtë shtet dhe popull”, përfundoj Gashi