Krimet ekonomike aksion në Prishtinë, sekuestrohet mall
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka pranuar informata se një subjekt biznesor, i cili operon në kryeqytet, bën shitjen e produkteve të ndryshme me shumicë si suplemente të ndryshme, shampona, mjaltë për përdorime të ndryshme për potencë (kamagra etj,) të cilat produkte dyshohet se janë pa origjinë të prejardhjes, disa produkte të falsifikuara dhe dyshohet për ndërrim të afatit të skadencës së produkteve.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në bashkëveprim me Inspektoratin e Tregut nga Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, janë ndërmarrë veprime duke u kryer kontroll në subjektin biznesor të dyshuar në tri lokacione në Prishtinë.
“Gjatë kontrollimit të subjektit biznesor është hasur sasi e konsiderueshme e mallrave për të cilat pronari nuk ka mundur të prezantoj dokumentet e origjinës së këtij malli. Lidhur me këtë është njoftuar Dogana e Kosovës-Njësia e Antikontrabandës të cilët kanë dal në vendin e ngjarjes duke u bashkuar në operacion me hetuesit e PK-së dhe Inspektoratin e MINT. Në këtë rast Dogana e Kosovës ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të mallrave, të dyshuara si të kontrabanduara, ndërsa Inspektorati i tregut ka bërë bllombimin e depos deri në përfundim të rastit nga Dogana e Kosovës”, njofton policia.
“I dyshuari me iniciale (G.T.) është sjell për intervistim, si person i dyshuar lidhur me dyshimet për veprat penale: “Kontrabandim i mallrave” dhe ‘’Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore’’.
Lidhur me këtë rast është njoftuar Prokurori kompetent nga PTH-Prishtinë dhe me rekomandimin e tij në këtë fazë personi i dyshuar lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.