Lajme

Konflikt mes çiftit: Burri për shkaqe xhelozie merr foshnjën 5-muajshe të largohet nga shtëpia, ndërhyn ‘balldëska’

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, për fat të keq është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të dhunës në familje, raporton Gazeta Sinjali.

E ndër arsyet më të shpeshta të konflikteve mes çifteve, janë dyshimet për tradhti.

Sinjali mëson se kështu ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në një familje në rrugën ‘Dardania’ në Fushë Kosovë, ku pas një konflikti verbal me bashkëshorten e tij, një 37-vjeçar ka marrë foshnjën pesëmuajshe dhe ka dashur të largohet nga shtëpia.

E gjithë drama ka ndodhur pas përfshirjes së motrës së bashkëshortes së tij, e cila dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhëndrin.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia dhe si rrjedhojë tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin. Po ashtu, çifti ka pranuar edhe tretman mjekësor.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.