Lajme

Konflikt familjar: Vëllai rrah vëllanë dhe e kërcënon me thikë, përfundon në Polici

Konfliktet në familjet kosovare janë mjaft të shpeshta dhe jo rrallëherë këto raste kanë përfunduar edhe tragjikisht. Mosmarrëveshjet për punë të ndryshme, prona, e për para, por edhe për motive banale i shtyjnë baballarët, vëllezërit e motrat që të përshihen në përleshje të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.

Një incident i tillë ka ndodhur edhe dje, në një familje në Prishtinë dhe këtë herë janë të përfshirë dy vëllezër.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është denoncuar në Polici nga dikush prej familjes së të dyshuarve, me ç’rast u kuptua se njëri prej tyre e ka sulmuar fizikisht tjetrin për shkak të një mosmarrëveshje momentale.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari 20-vjeçar, përveç që e sulmoi vëllain, edhe e ka kanosur seriozisht me mjet të mprehtë – duke i shkaktuar shqetësim e frikë.

Si rezultat i denoncimit, palët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë dhe kanë rrëfyer në detaje se si ndodhi rasti.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën “Dhunë në familje”.