Lajme

Konflikt familjar: Djali sulmon me thikë babanë e tij, 64-vjeçari kërkon ndihmën e Policisë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një konflikt familjar ka ndodhur dje në Pejë, ku një person ka kërkuar ndihmën e Policisë pas telasheve që pati me djalin e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 64-vjeçari është ankuar se i biri vazhdimisht ushtron dhunë ndaj tij, teksa dje dyshohet se e ka sulmuar edhe me thikë.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 30-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.