Komuna e Mitrovicës nuk përfiton nga mbrëmja humanitare, komuna nuk siguroi një xhirollogari
Artistë e figura të rëndësishme publike janë mbledhur sonte në një megambrëmje në një nga hotelet e Prishtinës ku qytetarët mund të kontribuojnë sipas vullnetit të tyre me shuma parash në ndihmë për qytetarët e prekur nga vërshimet e fundit, raporton Gazeta Online Veriu info.
Qytetarët kanë mundësi që të kontribuojnë në xhirollogaritë e hapura nga komunat e prekura nga vërshimet, Skenderaj, Podujeva, Klina dhe Istogu.
Skandaloze në vetvete është fakti që Mitrovica si komuna më e prekur nga vërshimet e fundit nuk është pjesë e këtij aktiviteti humanitar.
Dhe kjo jo për fajin e organizatorëve por për fajin e komunës së Mitrovicës e cila nuk ka qenë në gjendje të hapë një xhirollogari ku qytetarët do të mund të dhuronin para.
Kështu ka theksuar drejtuesi i kësaj mbremje, aktori i njohur kosovar Fatmir Spahiu.
Ai ka shpjeguar se pas ankesave të qytetarëve se pse Mitrovica nuk është pjesë e mbrëmjes, ka thënë se kjo për fajin e komunës e cila nuk ka qenë në gjendje të sigurojë xhirollogari.
“Fakti që komuna e Mitrovicës nuk ka arritur të sigurojë xhirollogari nuk është faji i organizatorëve dhe vullnetarëve këtu. Është një mungesë e vullnetit për të krijuar një xhirollogari. Si duket komuna ka fonde të mjaftueshme për t’i dalë zot qytetarëve të vet.