Lajme

“Kom me t’pre me thikë”, 60 vjeçari në gjendje të dehur kërcënon dhe e rrah gruan e tij

Rastet e dhunës në familje përditë e më shumë po rriten në vendin tonë. Viktima janë kryesisht gratë të cilat shpesh hezitojnë të raportojnë në Polici dhunën që përjetojnë nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në një familje në Ferizaj.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se një burrë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike në vazhdimësi ndaj gruas së tij.

Megjithatë, viktima edhe pse e ndodhur në këtë situatë, nuk e ka raportuar rastin në Polici.

60-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij teksa ka shkuar në shtëpi në gjendje të dehur. Madje, i dyshuari e ka kërcënuar viktimën duke i thënë “kom me t’pre me thikë se i kom bo 60 vjet, s’kom pse me jetu unë”.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.