“Kom me ta dhanë plumbin në kry”/ 52-vjeçari kërcënon një person në Skenderaj, shkak një traktor
Mosmarrëveshjet mes qytetarëve të Kosovës lindin për arsye të ndryshme. Ato shpesh herë eskalojnë në ofendime, të shara e kërcënime në drejtim të njëri-tjetrit, madje duke shpërthyer edhe përleshjet fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Vajnik të Skenderajt, ku një person dyshohet se u kërcënua me jetë nga një 52-vjeçar.
Sinjali mëson se ndërrimi i një traktori të vjetër me një të ri u bë shkak që i dyshuari të nis mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të viktimës, duke i thënë se do ia japë plumbin në kokë në rast se nuk ia ndërron automjetet.
Përballë kësaj situate i shqetësuar dhe i frikësuar nga kërcënimet që mori, 32-vjeçari është drejtuar për në Stacionin e Policisë, ku para hetuesve ka rrëfyer në detaje të gjithë ngjarjen.
Njësitë policore nuk kanë arritur ende që të kapin të dyshuarin dhe ta shoqërojnë në stacion për intervistim.
Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.