Lajme

Kjo është ndihma nga shteti që merr familja e policit që vdes në detyrë dhe atij që plagoset

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, këmbëngul që institucioni kryesor i sigurisë të ketë sigurim shëndetësor dhe jetësor.

Kjo është një ndër dhjetë kërkesat e Sindikatës të kërkuara me peticion, i cili u shqyrtua të martën në Komisionin Parlamentar.

Duke folur për ngritjen e mirëqenies së zyrtarëve policorë, Zeqiri në Klan Kosova ka folur edhe për mirëqenien e familjarëve të ngushtë të policëve që bien në detyrë, si rasti i fundit i Afrim Bunjakut.

“Te humbja e jetës në vendin e punës, sipas rregullave dhe udhëzimeve të brendshme administrative, familja merr gjashtë paga të menjëhershme si dhe 80 për qind të pagës bruto, kjo e përhershme. Po ashtu hiqen edhe shpenzimet e ceremonisë së varrimit”, shpjegoi ai.

“Ndërkaq në rastin e lëndimit në punë hiqen të gjitha shpenzimet e mjekimit nga Departamenti i Shërbimeve Shëndetësore që është në kuadër të Policisë së Kosovës”.

Në këtë linjë Zeqiri ka treguar se deri më tani janë 24 zyrtarë policorë që kanë rënë në detyrë zyrtare, derisa numri i atyre që kanë pësuar lëndime është 4,753.

Duke shpalosur këto statistika, ai insiston që Policia e Kosovës të bëhet me sigurim shëndetësor, jetësor, por edhe të paguhet shtesa e rrezikshmërisë që tash e tetë muaj nuk ekzekutohet.