Lajme

Kjo është gruaja që e vrau kunatën e saj në Dragash

Fshati Kuk i Dragashit dhe i gjithë vendi u trondit nga ngjarja e rëndë që ngjau dje, ku një grua e moshuar u gjet pa shenja jete. Sahime Domuzet dyshohet se humbi jetën si pasojë e dhunës sistematike fizike me të cilën po përballej. Lidhur me rastin është arrestuar kunata e saj, e cila dyshohet se e rrahu të ndjerën deri në vdekje.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta brenda Prokurorisë se e dyshuara është Nazire Abdyli, 64-vjeçare.

Abdyli gjatë intervistimit nga organet e hetuesisë, ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, duke thënë se të moshuarën tashmë të ndjerë, e ka mbytur duke e goditur me mjete të forta.

64-vjeçarja mjetet me të cilat dyshohet se ka kryer aktin makabër, i kishte fshehur në një vend të caktuar, por që tashmë janë gjetur dhe sekuestruar nga organet kompetente në cilësinë e provave materiale.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit i ka caktuar Abdylit masën e ndalimit policor dhe ajo do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.

Nga rezultatet preliminare të ekzaminimeve mjekoligjore është konstatuar se e ndjera, Sahime Domuzet ka pasë shenja dhune në trup.