Lajme

KFOR-i rritë numrin e trupave në terren, mësohet arsyeja!

Në lidhje me sigurinë dhe stabilitetin në vend, KFOR-i ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë shqetësim dhe se prezenca e KFOR-it në veri vazhdon të mbetet e njëjtë duke u bazuar në mandatin dhe misionin e tyre.

“Në përgjithësi, situata është stabile dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim në qëndrimin e forcave të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Insajderi.

Në përgjigjen e tyre thuhet se trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes.

Trupat e KFOR-it janë duke zhvilluar disa stërvitje, thuhet në përgjigje dhe kjo sipas tyre do të rezultojë me një rritje të përkohshme të numrit të trupave në terren.

“Në këtë periudhë, gjithashtu, Forca e Kosovës (KFOR) e udhëhequr nga NATO është duke zhvilluar një stërvitje rutinë për një nga njësitë e saj rezervë. Kjo do të rezultojë në një rritje të përkohshme të numrit të trupave në terren”.

Në përfundim të stërvitjes, kontingjenti ushtarak do të niset nga Kosova.

Po ashtu më tutje thuhet se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, të Organizatave të Sigurisë së Kosovës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë.