Lajme

Këto janë nënë e bijë të arrestuara për rastin tronditës të vrasjes së foshnjës në Podujevë

Një ngjarje e trishtë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Podujevë, ku dy gra janë arrestuar nën dyshimet se janë përfshirë në vrasje të një foshnje gjatë lindjes. Gruaja shtatzënë është njëra nga të arrestuarat e cila dyshohet se ka kryer abort të kundërligjshëm dhe më pas ka kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të arrestuarat janë nënë e bijë, Xheneta Lutolli (rreth 19-vjeçare) dhe Sanie Kodraliu (rreth 44-vjeçare) të cilat po dyshohen se janë përfshirë në këtë rast tronditës.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se vajza 19-vjeçare në bashkëkryerje me nënën e saj, pasi e ka lindur foshnjën në banjon e shtëpisë derisa ka qenë rreth 7-muajshe – dyshohet se e kanë hedhur në tualet.

Për rastin kanë folur edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe kanë bërë të ditur se kanë nisur hetimet ndaj dy të dyshuarave, të cilat ndodhen nën masën e ndalimit policor.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, sipas KPRK-së” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Kujtojmë se sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nëna që privon nga jeta foshnjën e vet gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes, derisa te ajo vazhdon çrregullimi i shkaktuar nga lindja, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tri vjet.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.