Këta janë emrat e 3 të dyshuarve që rrëmbyen një grua në Obiliq dhe e dhunuan në furgon
Tre persona janë arrestuar të shtunën nga Policia në Obiliq, nën dyshimet se kanë rrëmbyer e më pas edhe dhunuar një grua. Gjithçka dyshohet se ka ndodhur në fshatin Plemetin dhe tashmë janë zbuluar detajet dhe identiteti i tre të dyshuarve, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ismet Halilin, Fadil Berishën, (të dy 37-vjeçarë), si dhe Muhamed Kurtin, 21-vjeçar.
Të njëjtit po dyshohen se kanë rrëmbyer një grua të moshës 43-vjeçare, të cilën e kanë marrë me forcë në automjet dhe më pas e kanë dërguar në fshatin Plemetin.
Rasti i trishtë ndodhi në furgon, ku tre të dyshuarit e keqtrajtuan seksualisht viktimën, me të cilën dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Abuzimi i të dyshuarve me viktimën u zbulua pasi kjo e fundit ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, për shkak të shenjave të dhunës që kishe në trupin e saj.
Policia është njoftuar menjëherë për rastin dhe si rezultat njësitë përkatëse janë aktivizuar, duke ndërmarrë veprimet hetimore për kapjen e të dyshuarve.
Me rastin e arrestimit, është konfiskuar edhe furgoni, pronë e njërit prej të dyshuarve, ku dyshohet se ndodhi kjo ngjarje e tmerrshme.
Ndaj tre të arrestuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit policor dhe nisjen e hetimeve për zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur rasti.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.