Lajme

Këta janë dy të arrestuarit që premtuan ushtrim ndikimi në ministri për dallavere me grante

Fakton.info pak më parë raportoi se Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona, të cilët dyshohet se kanë pranuar para në emër të zyrtarëve të një ministrie, duke premtuar ndikim për futjen e dy aplikuesve në listën e përfituesve të granteve. Sinjali ka mësuar se për cilën ministri bëhet fjalë dhe kush janë të dyshuarit.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuari për këtë rast janë Fatlind Idrizi dhe Shukri Xhaferi, të cilët janë kapur në flagrancë gjatë ditës së djeshme.

Të njëjtit po dyshihen se kanë pranuar një shumë të parave në emër të zyrtarëve të një Ministrisë së Bujqësisë, me premtimin se do të ushtrojnë ndikimin për futjen e dy aplikuesve për grante në listën e përfituesve në atë ministri.

Ky rast është hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Sektori i Hetimeve të Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.