Këta janë dy hajnat që u kapen nga Policia, dyshohen për plot raste të grabitjeve dhe vjedhjeve
Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë. Gazeta Sinjali raportoi sot për arrestimin e dy personave që dyshohen për një rast të tillë që ka ndodhur para disa ditësh në Prizren.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë Bajram Çoçaj dhe Valton Shigjeqi, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Sinjali mëson se dy të dyshuarit që kanë rënë në prangat e Policisë para disa ditësh ia kanë grabitur një zinxhir një gruaje nga qafa dhe më pas kanë arritur të arratisen.
Por ndonëse e shijuan lirinë për disa ditë, të njëjtit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.
Dy të dyshuarit për këtë rast, sipas të njëjtave burime dyshohen edhe për raste të tjera të kësaj natyre, grabitje e vjedhje.
Lajmin për arrestimin e tyre e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.