Lajme

Këta janë babai dhe dy djemtë e tij të dyshuar për fajde

Dukuria e fajdesë, që nënkupton huazimin e parave të cilat më pas duhet të kthehen me interes shumë të lartë. Të tilla raste janë shumë të shpeshta në vendin tonë dhe kjo po dëshmohet me arrestimin e personave që përfshihen në këtë veprimtari. Për një rast të tillë që u denoncua në fillim të tetorit, Policia ka arrestuar dy persona.

Tre persona u identifikuan si të dyshuar për fajde dhe dy prej tyre tashmë janë arrestuar – ndërsa i dyshuari i tretë ndodhet në arrati

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se tre të dyshuarit janë Avni Fazlija dhe dy djemtë e tij Egzoni dhe Albioni.

I dyshuari kryesor Avni Fazlija dhe Egzon Fazlija janë prangosur dhe ndaluar për 48, ndërsa Albioni është futur në kërkim policor.

Lajmin për arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.

Hetimi ndaj tyre nisi pasi një grua raportoi se burri i saj i kishte marrë 8 mijë euro me fajde dhe si rezultat u zbulua identiteti i të dyshuarve.

Siç ka raportuar Sinjali, ankuesja kishte kërkuan ndihmën e Policisë pasi fajdexhiu që i kishte dhënë para me interes bashkëshortit të saj, i ka shkuar te shtëpia dhe i ka kërkuar një shumë të të hollave.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se burri i saj dyshohet se i kishte marrë 8 mijë euro me fajde nga Avni Fazlija, për çka i janë kthyer rreth 10 mijë euro.

Por, burri i 38-vjeçares është ‘zhdukur’ më pas dhe nuk ka shkuar në shtëpi qe një kohë, ndërsa gjatë kësaj periudhe gruaja e tij është përballur me të dyshuarin kryesor.

Sipas dëshmisë së saj, të dhënë para hetuesve policorë, asaj i kanë kërkuar edhe 35 mijë euro.

E njëjta ka rrëfyer gjithë rastin në Polici dhe po ashtu e ka konfirmuar që burri i saj s’ka qenë në shtëpi që rreth 1 vit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti dhe si rezultat dy prej të dyshuarve tashmë janë ndaluar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.