Lajme

Kërcet dajaku në lokalin me muzikë live “Shqiponja e Drenicës”, 36-vjeçari rrahet nga dy persona

Përleshjet në lokale të ndryshme në qytetet e Kosovës, të cilat veprojnë edhe pas mesnate janë bërë mjaft të shpeshta. Këto raste jo rrallëherë eskalojnë edhe në sulme brutale, siç dyshohet se ka ndodhur në një lokal me muzikë live, në Miradi të Ulët në Fushë Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në lokalin “Shqiponja e Drenicës”, ku një 36-vjeçar, është sulmuar fizikisht, për motive akoma të panjohura.

Sipas informacioneve të para, viktima fillimisht kishte raportuar se dy persona e kanë rrahur gjatë kohës sa ishte në këtë lokal, por nuk i kujtohej në detaje pasi ka qenë nën ndikimin e alkoolit.

Natën që ndodhi rasti, i njëjti ishte dërguar për trajtim mjekësor në spital, për shkak të lëndimeve trupore që kishte pësuar.

Më pas, gjatë ditës së djeshme, i riu ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rrahjen, me ç’rast ka deklaruar disa detaje të asaj që ka ndodhur dhe ka denoncuar dy personat e dyshuar.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të sigurohet prezenca e të dyshuarve dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme.