Kërcënoi zyrtarin policor, ky është i riu që përfundoi në pranga në Mitrovicë
Mbrëmë u raportua për arrestimin e një personi në Mitrovicë, i cili dyshohet se ka kërcënuar një zyrtar policor i cili i shqiptoi atij një gjobë për kundërvajtje në trafik. I riu me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Fatbardh Abazin, 22-vjeçar.
Sipas burimeve, gjithçka ka ndodhur pasi polici e ka ndalur Abazin për kontroll dhe verifikim sepse i njëjti po e drejtonte veturën pa targa.
Për pasojë, zyrtari policor e ka gjobitur për kundërvajtje dhe kjo si duket e ka nervozuar shoferin e dyshuar.
Në shenjë revolte, i dyshuari e ka kërcënuar policin, duke e paralajmëruar se do ta pësojë keq, posa të jetë jashtë detyrës zyrtare.
Përballë kësaj situate, Policia e ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij.
Pas përfundimit të procedurave policor, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.