Lajme

Kërcënohet policja në Prishtinë pasi e bllokoi rrugën me veturë: “Veç je femër se të kisha zhagitë”

Problemi me parkimin e automjeteve në Prishtinë është një problem i kahmotshëm. Incidente të shumta eskalojnë në kanosje e përleshje si pasojë e mosmarrëveshjeve, për çka nevojitet edhe intervenimi i Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur të mërkurën në rrugën “UÇK” në Prishtinë dhe këtë herë në rast është e përfshirë një zyrtare policore, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, zyrtarja policore është kërcënuar nga një person, për shkak të një konflikti verbal për parkimin e veturës së saj, duke e bllokuar rrugën, në afërsi të një marketi.

Në bazë të informacioneve të para, policja i zuri në flagrancë disa persona, duke tentuar që t’ia lëvizin veturën e saj dhe aty dyshohet se plasi sherri.

Njëri prej tyre dyshohet se e ka kanosur policen, duke iu drejtuar me fjalët “Veç je femër se të kisha zhagitë nëpër Prishtinë”, thonë të njëjtat burime.

Përballë kësaj situate, zyrtarja policore e ka raportuar rastin dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.