Lajme

“Kena me t’vra ty edhe familjen…” 29-vjeçari nga Mitrovica raporton se është kërcënuar për shkak të borxhit, lajmërohet stomatologu

Mosmarrëveshjet për borxhe shpeshherë kanë shkaktuar incidente të ndryshme në vendin tonë, të cilat kanë eskaluar edhe në kanosje serioze. Si pasojë e kësaj prishen edhe miqësi dhe lindin konflikte që përfundojnë si raste në Polici. Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur në Mitrovicë, Sinjali ka raportuar para disa ditësh. Dy persona janë denoncuar për kanosje nga një 29-vjeçar dhe motivi dyshohet të jetë borxhi.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për dy të dyshuar, njëri prej të cilëve është Gazmend Arifi, stomatolog në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë. Sinjali mëson se Arifi dhe i dyshuari tjetër Muhamet Latifi ndaj të cilëve kanë nisur hetimet për veprën penale “Kanosje”.

Arifi dhe Latifi kanë përfunduar në Polici, nën dyshimet se kanë kërcënuar viktimën për shkak të borxheve që ka pasur ndaj tyre, por të cilat nuk kishte arritur t’ua kthente. Sipas informacioneve që ka Sinjali, i riu ka raportuar në Polici se të dyshuarit e kanë kanosur edhe me jetë, duke i thënë se “do të vrasim ty dhe familjen tënde”.

Mesazhet kërcënuese që po dyshohet se ia kanë dërguar viktimës, i ka mohuar stomatologu nga Mitrovica. Në një prononcim për Sinjalin, Arifi e ka konfirmuar se ka dhënë deklaratë në Polici për këtë rast, por që është lënë i lirë.

Arifi tha se nuk ka pasur asnjë formë kërcënimi mes tyre dhe gjithçka lidhet me një keqkuptim, pasi ai dhe Latifi kanë pasur shoqëri me viktimën.

Ai po ashtu e ka konfirmuar se i kanë dhënë para borxh 29-vjeçarit, por që nuk ka dhënë ndonjë shifër të saktë.

“E kena pas ne shok atë…por dolën senet prej kontrolli. Na nuk kemi kurrgjë me të, i kena ndihmu. Ne kemi qenë në Polici, kemi dhënë deklaratë, kemi tregu krejt qysh u konë. Jo, s’jemi arrestu, ka shku në procedurë të rregullt. Na ka thirrë Policia, na kemi tregu se e kemi shok..Ai i apti amrrë disa para dhe ka ikë.. Nuk e kemi kërcënuar as ne atë, as ai neve. Po, i kemi dhënë para borxhe, goxha do pare na i pati marrë..s’di sa. Ai e din ma mirë.”, tha Arifi.

Pro kur është pyetur për mesazhet kërcënuese që dyshohen se ia kanë dërguar viktimës, ai tha se:

“Jo, bre kena bo hajgare me njoni-tjetrin, me nisë çka më ka thënë ai mu, e na atij.. Na kemi ndejtë bashkë, jemi shoqëru bashkë.”, përfundoi Arifi.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.