“Ke me pagu shtrenjtë”/ Vushtrriasi bashkë me një person sulmon ish të dashurën, kërcënojnë motrën e saj
Problemet mes çifteve shpesh herë nuk marrin fund me ndarje. Personat e pakënaqur me vendimin për t’i ndarë rrugët, në shumë raste u shkaktojnë telashe partnerëve të tyre, duke i kërcënuar e shantazhuar në forma të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Dëshmorët e kombit’ në Vushtrri, ku një person dyshohet se bashkë me një person tjetër kanë sulmuar fizikisht ish të dashurën e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rastin e ka denoncuar motra e viktimës, e cila ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin kritik, kur ato po përcilleshin nga automjeti ku ishin të dyshuarit.
Bazuar në dëshminë e saj, ajo ka ndërhyrë që të largojë të dyshuarit dhe në atë moment njëri nga ta e ka kërcënuar duke i thënë se do ta paguajë shtrenjtë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore për të lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarve, të cilët janë larguar në drejtim të panjohur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.