Katër policët e dyshuar për përfshirjen në incident në Veri ndalohen për 48 orë
Katër pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Samet Uka, Faton Maloku, Muhamet Muçiqi dhe Korab Pepaj, janë suspenduar nga detyra pasi dyshohet se u përfshinë në incidentin e të hënës mbrëma, ku një qytetar serb mbeti i plagosur te Ura e Bistricës në afërsi të Zveçanit, raporton Gazeta Sinjali.
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka bërë me dije se katër policët e suspenduar, me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njejtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK”, shkroi Sveçla.
Sipas ministrit të Brendshëm, duke u bazuar në hetimet e para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.
“Pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës por edhe Inspektoriati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intenzive. Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.”, ka thënë Sveçla.
Pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës…
Posted by Xhelal Sveçla on Tuesday, April 11, 2023
Kujtojmë se fillimisht, përfshirja në rast ishte mohuar nga Policia e Kosovës, por më pas, nëpërmjet një komunikate për media është bërë e ditur se pas hetimeve është konstatuar se një zyrtar policor mund të jetë përfshirë në rastin, ndërsa ka njoftuar për suspendimin e katër zyrtarëve.
Lidhur me rastin kanë reaguar edhe ndërkombëtarët.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se janë thellësisht të shqetësuar për incidentin, ka bërë thirrje që të kryhen hetime kredibile.
Po ashtu, edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar incidentin.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kritikuar ambasadorin Hovenier, “që ka shprehur shqetësim, dhe nuk e ka dënuar tentim-vrasjen” ndaj pjesëtarit të komunitetit serb.
Sipas kësaj partie, kjo nuk është hera e parë që “sulmet ndaj serbëve relativizohen dhe përgjegjësia e kriminelëve minimizohet”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka dënuar më herët gjatë ditës, atë që e ka konsideruar sulm të kryer nga Policia e Kosovës.
“Ne po flasim për një burrë, i cili ka tre fëmijë, po flasim për një shofer taksie. Në atë pikë ilegale të kontrollit, Policia e Kosovës ndalon serbët çdo ditë dhe i ngacmon ata. Ne kemi thënë disa herë se ata nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në veri të Kosovës, sepse është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet”.
Komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë të banuara me shumicë serbe.
Javën e kaluar, një pjesëtari të komunitetit serb i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, i cili dyshohet se u ka vënë flakën veturave me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.