Lajme

Katër nga të lënduarit po trajtohen në Intensivë – krejt çka dihet për shpërthimin nga bombola e gazit në Mitrovicë

Pasditja e sotme ishte tmerr për një familje në fshatin Kçiq në Mitrovicë. Një bombolë gazi e cila me shumë gjasë përdorej për ngrohje, ka shpërthyer duke lënë të lënduar kështu 15 anëtarët e kësaj familjeje. Të lënduarit u dërguan me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, ku për shkak të gjendjes së rëndë, 14 nga ta janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa njëri u lirua në shtëpi, raporton Gazeta Sinjali.

Në përditësimin e fundit të informacioneve për gjendjen shëndetësore të viktimave, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar njofton se pacientët janë transferuar në Klinika të ndryshme të QKUK-së.

Sipas komunikatës për media, katër nga të lënduarit janë në gjendje më të rëndë dhe të njëjtit po trajtohen në Mjekimin Intensiv Qendror.

“4 pacientë janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror, meqë kanë gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia.

8 pacientë janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku po e vazhdojnë trajtimin dhe mbikqyrjen nga stafi shëndetësorë.

2 në Kirurgjinë Abdominale dhe 1 do të transferohet në Kirurgji Torkale”, thuhet në njoftim.

Në këtë ngjarje, është krijuar edhe një konfuzitet lidhur me numrin e personave të lënduar nga shpërthimi.

Fillimisht, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i tha Sinjalit se të lënduar janë 13 persona.

“Rreth orës 16:30, policia ka pranuar informatë se si pasoj e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 13 persona kanë pësuar lëndime, të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Bazuar në informatat e para dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombolë gasi“, tha Zahiti për Sinjalin.

Por ndryshe pohoi zëdhënësja e Spitalit Rajonal të Mitrovicës, Nita Mustafa, e cila tha për Sinjalin se nga shpërthimi kanë mbetur të lënduar 15 persona, të cilët janë dërguar në Emergjencë për tretman mjekësor.

“15 persona kanë pranuar tretman mjekësor në Emergjencë. 14 prej tyre janë dërguar për trajtim në QKUK për shkak se kanë pasë lëndime më të rënda. Ndërsa njëri prej tyre është liruar për në shtëpi”, tha Mustafa për Sinjalin.

Në njoftimin fillestar, edhe SHSKUK-ja tha se në QKUK po trajtohen 13 pacientë si pasojë e djegieve nga shpërthimi i bombolës së gazit.

“Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, po trajtohen 13 pacientë si pasojë e djegieve nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicës.

Pacientët pasi kishin marrë trajtimin fillestar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, janë sjellë në QKUK”, thuhej në komunikatën e parë të lëshuar nga SHSKUK-ja.

Në vendin e ngjarjes doli edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili pas Kçiqit udhëtoi drejt Prishtinës për të qëndruar pranë të lënduarve në QKUK.

Hamza ka thënë se të lënduarit në bazë të informatave janë nga e njëjta familje dhe ka edhe disa familjarë nga diaspora.

“Isha edhe brenda. Sipas informatave ka prej tyre që e kanë shkallën e lëndimit më të madhe, e disa më të vogël. Uroj që të gjithë të jenë mirë e të mos kenë rrezik për jetë e iu uroj shërim të shpejt dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj mjekët për një punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai për Klan Kosovën.

Për përdorimin e bombolave të gazit ka shkruar edhe eksperti i Emergjencave, Tahir Ahmeti, i cili bëri thirrje që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masat e nevojshme të sigurisë që të parandalohet ndonjë tragjedi nga përdorimi i tyre.

“Janë tri parametra që duhet të kihet parasysh tek siguria e bombolave të gazit, cilësi e bombolave, kryerja e atesteve dhe kontrolleve periodike të tyre, si dhe instalimi dhe përdorimi i drejtë i këtyre bombolave.

Institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masat e nevojshme të sigurisë, në mënyrë që të parandalohet ndonjë tragjedi nga përdorimi i bombolave të gazit”, tha Ahmeti.